Pas 30 vitesh martesë zbulova tradhtinë e bashkëshortit

Pas 30 vitesh martesë zbulova tradhtinë e bashkëshortit

Nuk ma merrte kurrë mendja se mund të më ndodhte edhe mua ajo që shumë të tjerë e kanë kaluar para meje. Por përjetimi i tradhtisë qenka shumë i tmerrshëm, sidomos kur je në një farë moshe. Gjithmonë kisha menduar se në moshën tonë marrëdhënia bazohej tek respekti dhe ndjenja e përgjegjësisë ndaj familjes më shumë sesa te tërheqja fizike apo seksuale. Sigurisht që çdo marrëdhënie duhet ta ruajë dozën e vet të dashurisë, por me kalimin e viteve gjërat ndryshojnë dhe të duket e pakonceptueshme që mund të bëhesh viktimë e tradhtisë.

Unë jam një zonjë 47 vjeçe. Kam një djalë në shkollë të lartë, që studion jashtë prej 3 vjetësh. Jam njohur dhe jam martuar me tim shoq me dashuri. Ai ka qenë një burrë i mirë, edhe pse unë kam qenë ajo që ishte më e dhënë pas familjes. Pasi kemi kaluar thuajse 30 vjet bashkë, marr vesh që ky njeri që e kam vlerësuar gjithmonë, më tradhton përpara syve të mi. Nuk ka zhgënjim më të madh. Papritur më ka kapur një urrejtje për të, aq sa nuk arrij ta besoj se mund ta kem dashur.

Ne kemi dy shtëpi në të njëjtin pallat, një prej të cilave e kemi lënë me qira prej 5 vjetësh. Atje jetojnë dy vajza, që sapo kanë mbaruar shkollën e lartë, kanë gjetur punë në Tiranë dhe vazhdojnë të qëndrojnë këtu. Duke qenë se ato prej shumë vitesh qëndrojnë në shtëpinë tonë, kemi krijuar një lloj konfidence. Ne i kemi ndihmuar sa herë që kanë pasur nevojë, për gjëra të vogla bëhet fjalë. I kam trajtuar si të ishin fëmijët e mi, sepse kam vetë një djalë që është vetëm disa vite më i vogël se to. Më ka ardhur keq sepse janë larg familjes dhe janë përballur vetë me jetën. Por ja që qenkam gabuar në gjykimin tim.

Nuk ka shumë kohë që njëra nga këto vajzat më kërkoi të pinim një kafe afër punës sime. Mendova se do të kishte ndonjë hall dhe mund të kishte nevojë për ndihmë. Megjithëse m’u duk e çuditshme që më kërkoi të mos e pinim kafenë në shtëpinë time, siç bënim zakonisht. Nuk e vrava shumë mendjen dhe dola ta takoja. Ajo dukej se kishte qarë. Fillova ta merrja me të mira dhe t’i thosha të qetësohej se nuk ka gjë që nuk kalohet në këtë jetë. Sa budallaqe m’u duk vetja më pas, kur kujtova këto fjalë që i kisha thënë! U ulëm dhe ajo po hezitonte që të fliste. Më tha se i vinte shumë turp për atë që kishte ndodhur dhe që do të më tregonte. Më kërkoi të falur fillimisht dhe u justifikua për atë që kishte bërë. Deri këtu nuk kisha marrë vesh asgjë se çfarë kishte ndodhur, por mendja më shkoi se do të kishte ndodhur ndonjë gjë nga shtëpia, ndoshta kishin prishur ndonjë mobilie apo ndonjë gjë tjetër dhe më dukej absurde që ajo të qante kaq shumë. I thashë të mos shqetësohej se nuk kishte gjë të pandreqshme. Por kurrë, për asnjë çast, nuk më shkoi mendja tek ajo që do të më thoshte.

Filloi të fliste më shkoqur, me zërin që i dridhej dhe lotët që i rridhnin pa pushim. Më tha se kishte një lidhje me burrin tim. Në atë moment shtanga, nuk i besoja dot veshëve dhe as nuk arrija të flisja. Kishin më shumë se dy vite që kishin lidhje. Im shoq mund të ishte babai i saj, por kjo nuk e kishte penguar vajzën (nuk dua t’i vë epitete në gazetë, edhe pse i meriton) të lidhej me të. As fakti që ai ishte i martuar dhe ajo më njihte shumë mirë nuk e kishin bërë të hezitonte. Nuk kishte menduar as për faktin se kështu po shkatërronte një familje. Sipas saj, njeriu nuk mund ta komandonte dot zemrën dhe dashuria nuk njihte moshë. Kështu e justifikonte lidhjen me burrin tim.

Pasi tha gjithë këto, më doli nga shpirti një pyetje ku prisja të gjeja shpëtim: Po bën shaka apo jo? Ma konfirmoi prapë se ajo që po thoshte ishte e vërtetë. Sikur fillova ta mblidhja veten dhe e pyeta pse kishte ardhur të ma tregonte. Sipas saj, burri im donte të ndahej prej meje, por nuk kishte guxim të ma thoshte. Meqë vajza ishte më e guximshme, mesa duket, e kishte marrë ajo përsipër këtë mision. Më tha se im shoq donte të niste një jetë të re me të dhe se unë nuk duhej ta pengoja. Ishte e pabesueshme se çfarë guximi kishte ajo vajzë. I thashë se im shoq ishte i lirë t’i merrte vetë vendimet për veten. I thashë se do të flisja me bashkëshortin dhe kur t’i vërtetoja fjalët e saj do të isha unë ajo që do të kërkoja të ndahesha prej tij, sepse nuk mund të jetoja me një njeri që më kishte tradhtuar kaq paturpësisht, madje edhe në shtëpinë time.

Kur shkova në shtëpi e pyeta për ato që më kishte thënë vajza. Ai i mohoi të gjitha dhe tha se ajo i sajonte, por se për çfarë arsyeje ajo duhej të shpikte gjithë këtë çmenduri ai nuk e kishte idenë. Sigurisht që i nxora nga shtëpia qiraxhiet sepse s’kishte më kuptim që të vazhdonin të jetonin në shtëpinë time pas gjithë shqetësimit që më kishin krijuar. Filluan debatet me burrin, që nuk pranonte asnjë fjalë nga ato që kishte thënë vajza. Nuk e di pse e besoja vajzën, edhe pse e urreja me shpirt. Përgjigjet e burrit nuk ma mbushnin mendjen.

I tregova shoqes sime të ngushtë se çfarë kishte ndodhur dhe ajo më tha se nuk kishte dashur të më shqetësonte, por edhe asaj i kishin thënë njerëz që e kishin parë. Aty m’u mbush mendja. Por në mesin tonë ishte një fëmijë. Djali ishte larg dhe nuk doja ta shqetësoja. Nga ana tjetër, nuk mund të mos i thosha se çfarë kishte ndodhur se ai do ta merrte vesh një ditë.

Bëra kërkesën e divorcit, edhe pse ne vazhdonim të rrinim në një shtëpi. I kërkova djalit që të vinte në shtëpi, pa i thënë arsye. Ai e gjeti mundësinë dhe erdhi. Kur i thashë se në çfarë pozicioni isha, më tha se do të më mbështeste çfarëdo vendimi që të merrja, edhe pse nuk i pëlqente që prindërit e tij po divorcoheshin. Tani jam duke ndjekur procedurat e divorcit.

Kjo e papritur më ndryshoi jetën dhe më bëri të përjetoj gjëra që nuk i kisha imagjinuar ndonjëherë se mund të më ndodhnin. Nuk e di përse vendosa ta bëj publike këtë histori, por sikur më lehtëson disi dhimbjen kur e ndaj atë me njerëz të tjerë, qofshin ata dhe të panjohur.

    Ky artikull nuk ka asnjë koment. Bëhu i pari!

Komento:

Shkruaj kodin!


shkronja të mbetura.